‘’SHKOPI MAGJIK’’

Politikë Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Nga Anisa Hysesani

Nën dritën e gjithë ngjarjeve të fundit të Dhjetorit të 2018-ës, pas ditëve të tëra proteste nga ana e studentëve (duke mos dashur të reflektoj mbi përzierjen e interesave në këtë protest, apo synimin për protagonizëm të disa elementëve), për një arsim më  cilësor dhe tarifa më të ulta (ose aspak tarifa) dhe një sërë kërkesash të tjera që varionin drejt këtyre  dy elementëve kryesorë, vendosa që situata meritonte një lloj analize, përpara se të ecim kuturu! A do rifillojë në Janar 2019 kjo protestë dhe si do rifillojë? -Këtë nuk di ta parashikoj, për aq kohë sa në pamje të parë duket se po merren masa lidhur me plotësimin e këtyre kërkesave! Kryeministri i Republikës së Shqipërisë (republikës tonë domethënë), doli  në një konferencë ekskluzive shtypi dhe ndër gjërat e (pa)thëna, veçanërisht njëra më tërhoqi vëmendjen (e kuptohet, vëmendjen nuk ta tërheqin vetëm gjërat pozitive, madje eksluzivisht vëmendjen nuk ta tërheqin gjërat pozitive, në kohëra ku duket se të gjithë presin sy e veshë ku do krisi)! Pra, çfarë më tërhoqi vëmendjen, ishte pikërisht fakti se studentët ekselentë, që kishin studiuar jashtë shtetit ishin prioritet i prioriteteve për punësim në Administratën Publike! Pas këtyre, vinin studentët ekselentë të Universiteteve Publike këtu në Mëmë(At)dhe dhe të fundit (qartazi më pak të rëndësishmit), ishin studentët e Universiteteve Jo Publike!  Shumë prej atyre, që do marrin mundimin të lexojnë këtë shkrim, do nisen ti perceptojnë argumentat që do parashtroj më poshtë, si subjektive ose si të lidhura me formimin e qenies time. I ftoj të bëjnë pikërisht këtë gjë, pasi besoj shembulli im lidhet me qindra të tjerë, që hiqi ndonjë ‘’lule’’, qarkullojnë në po të njëjtën çorbë, edhe pse me krenari kanë refuzuar ta hanë atë çorbë! Kjo sigurisht jo për mungesë oreksi, por sepse dinë të kontrollojnë ‘’thirrjet’’ e stomakut, kur dallojnë një ushqim helmues! Pse është jashtëzakonisht problematik ky lloj artikulimi (ndonëse premisat janë që të ngelet thjesht artikulim politik)?!

  • Sepse, në një moment kur të rinjtë e Shqipërisë , janë ngritur në masë për më shumë mundësi e akses në arsimin e lartë, paralelisht dhe me ironi therëse Kryeministri u thotë:- Të gjithë ju  studentët ekselentë jeni  të barabaratë, por disa janë më të barabarartë. Kjo çon në rrezikun e krijimit të  dy gjykimeve të gabuara në vetëdijen si komb e si  studentë:
  • Ju përpiquni, por kujdes sepse përpjekjet tuaja në vendin tuaj, kanë një impakt më pak domethënës për karrierën tuaj, rrjedhimisht jeni qytetarë të këtij vendi, por jo me aq të drejta, nëse vendosni të shkolloheni pranë institucioneve të arsimit të vendit tuaj!
  • Propagandë e mirëfilltë për të shtyrë të rinjtë të largohen nga ky vend (jo se të rinjtë nuk janë duke lënë masivisht Shqipërinë dhe pa këtë lloj artikulimi publik të Kryeministrit)!
  • Problemin e refuzimit të vetvetes, e kemi të thellë në kohë e në hapësirën mbarëshqiptare, ose thënë më thjesht: Ne vlejmë më pak, kushdo prej nesh (ose dhe të çfarëdolloj kombësie tjetër pa dashur të ofendoj asnjë kombësi), formuar diku tjetër vlen shumë më shumë, madje vlen aq shumë, sa s’ka nevojë të kalojë asnjë filtër formimi, por thjesht u lutemi të vinë e të na nxjerrin nga ‘’shpella’’! Të rinjve, që edukohen e formohen në shtetin tonë, ndonëse kanë derdhur po aq mund e djersë (ndoshta dhe më shumë konsideruar faktin, që jemi xhungël por nga ato pa rregulla të udhëhequra as nga instinkti bazik natyror), u lihet të kuptojnë se në Shqipëri ndodh çudia: Shteti refuzon produktin e tij! Tani duhet identifikuar problemi me rrënjë, fajin e  ka shteti për produktin, apo produkti për shtetin?!
  • Si mund t’ja themi Kryeministrit dhe këshilltarëve të tij, që produkti universitar shqiptar (publik dhe jo publik), pra STUDENTI nuk është mall import-eksporti, por vlerë kombëtare, kudo dhe kurdo që identifikohen dhe se detyra e shtetit nuk është të favorizojë disa në kurriz të disave, por mjafton të vendosi rregulla të qarta e të drejta ‘’loje’’ dhe lojtarët pozicionohen vetë në fushë sipas spektrit meritokratik?!
  • Problemi nuk është si të qasim ekselentët shqiptarë, që kanë studiuar jashtë shtetit, por si të ndërtojmë politika të cilat nuk i largojnë ekselentët që studiojnë në Shqipëri, sepse si rrjedhojë terreni bëhet vetvetiu tërheqës dhe për këdo tjetër, që momentalisht po formohet ose është formuar jashtë shtetit.
  • Ka një problem madhor nëse duam ta zbatojmë këtë filozofi punësimi në Administratën Publike, sepse jemi duke menduar si të mundësojmë ikjen e çdo ekselenti që Vitin e I-rë të studimeve në Shqipëri, i/e cili/a del me rezultate shumë të larta, për studime të mëtejshme jashtë shtetit, me premisën që kur të vijë ka prioritet punësimi e kontributi!
  • Në këtë mënyrë, çdo të riu i japim mesazhin: Ky vënd, nuk bëhet po s’(ik)e!
  • Automatikisht i kemi hequr Administratës Publike atë parimin, që në fakt kurrë nuk e kemi patur: PËRKATËSINË PUBLIKE, TË DREJTË, TË BARABARTË, PA NGJYRA, PA FAVORIZIME !

Në fund të këtij shkrimi, dua me përzemërsinë maksimale, ti them Kryeministrit , se duhet të ketë besim te të rinjtë, që formohen në këtë vend, pasi janë shëndërruar në alpinistë të zellshëm me aq shumë male sa kapërcejnë, e në praktikë si pak të tjerë nëse mungesat u dalin para, gjë që kush është formuar jashtë shtetit e ka të pamundur dhe modelet e ekselentëve që ka ftuar, na kanë treguar pikërisht këtë, që ky vend të ofron mundësi si asnjë vend tjetër për të punuar në zyra të cilat janë:- Pa kafe, pa makinë, pa shkresa! Administrata Publike, ngelet themra e Akilit për çdo qeveri, ndaj ka ardhur koha që mos ta trajtojmë Administratën Publike si PAJË të patrashëgueshme, pasi dasma këtij vendi i është bërë me kohë! Duhet përmirësuar nusërimi e trashëguar, modeli! Rreziku i çdo VKM-je dhe artikulimi publik, ngelet te dashuria që (s)kemi për këtë vend! I ftoj të gjithë të rinjtë, që nëse ndokush po kërkon t’i përçajë, me idenë që disa prej tyre, vlejnë më shumë se disa të tjerë, të mos e përkrahin këtë filozofi të rrezikshme, nëse janë vërtëtë të ndërgjegjshëm për mënyrën si duan të kontribuojnë për këtë vend. Përça e sundo, është shumë e lashtë , për të rënë prapë në kurth!

[paypal-donation]