SAGA E REFORMËS NË DREJTËSI ose PROTESTA PER FALIMENTIMIN e DAKORDESUAR te PD

Politikë Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Në 2 shekujt e fundit, që pas shpalljes së pamvarsisë Shqipëria ka nxjerrë burra shteti në kuptimin e dëshirës për shtetformim. Por në dekadat e fundit, nuk numërohet as edhe një shqiptar i vetëm që të ketë qënë në krye të shtetit me dëshirën për të bërë shtet, ndryshe s’do ishim këtu ku jemi.

Reforma në Drejtësi është mënyra e vetme që u përzgjodh nga ndërkombëtarët për të na pastruar nga vetvetja, nga politika jonë e pisët e cila ka filluar të ndotë rajonin dhe botën me aktivitete kriminale të rrezikshme.

Me daljen e PD në opozitë, në vitin 2015 ndërkombëtarët e kryesisht aleatët tanë më të fuqishëm SHBA, paraqitën platformën për Reformën në Drejtësi si një domosdoshmëri për të pastruar politikën. Po kush e ka frikë reformën, të majtët apo të djathtët? Sigurisht që frika është e madhe në të dyja kampet, por momenti favorizon të majtën e reformuar (kjo ha debat) tashmë në pushtet, për të kryer një pastrim dhe reformim të së djathtës shqiptare.

Dhe që në 2015 opozita ka një axhendë të ngjeshur protestash, që përputhen plotësisht me hapat e ndërmarrë për reformën, me qëllim pengimin e saj.

Po kush e mban peng Shqipërinë? Ja si renditet saga e reformës e cila po con në shpërbërjen e detyruar të forcës opozitare më të madhe në vënd.

Beteja PS-PD-SHBA për Reformën në 2015

Në 2015 në përpjekje për të devijuar qëllimin e Reformës në Drejtësi, PD kërkoi të hartohej dhe të aplikohej i ashtuquajturi “Ligji i Dekriminalizimit”. Në vijim të kësaj nisme, u krijua Komisioni i Posatcëm Parlamentar për Dekriminalizimin. Vetëm pak ditë pas kësaj nisme, PS përjashton nga rradhët e saj deputetin e PS Tom Doshi i cili në atë kohë u lakua për atë që u quajt “atentati i Metës ndaj Doshit”, ku u përfshinë edhe deputetët Mhill Fufi dhe Mark Frroku.

Në Mars të 2015 Sali Berisha kërkon publikisht në Parlament dorëheqjen e Ilir Metës nga detyra e Kryetarit të Parlamentit, dhe përgjigjia që mori nga ky i fundit ishte: “për ty bëj cdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishen e kam dhënë një herë dorëheqjen. Për herë të dytë nuk e jap”.

Po pse në të gjitha krizat politike në vend përmendet Shkëlzen Berisha, c’lidhje kishte ai vallë me ngjarjet e ditës? Apo mos ngjarjet e ditës ishin shashka për të penguar Reformën në Drejtësi, ku rradhën i pari duhet ta kishte Shkëlzeni? Cfar padrejtësish mund të ketë bërë djali i ish-kryeministrit? Pse ishte Drejtësia Shqiptare synim i SHBA, kë mbronin dhe cilit i shërbenin gjykatat dhe prokuroria, pse duheshin pastruar këto institucione? Kush e ka rradhën tani? Kush është “peshku i madh” i pambrojtur??

Gjithsesi vetëm një javë më pas, në protestën e 12 Marsit 2015 të thirrur nga opozita me arsyetimin e dekriminializimit të parlamentit, Lulzim Basha në fjalimin e tij gjatë protesës thekson: “I kërkojme sot Ilir Metës me një zë; Ik, jep dorëheqjen”. Pse kërkohej rrëzimi i “patericës” së Ramës? Pse kërkohej që në fillim të herës një Qeveri Teknike? Përse PD kërkonte me doemos të kishte nën kontroll Reformën në Drejtësi??

Në ditët në vijim kriza thellohet, dhe me ardhjen e Asistentes së Sekretarit të Shtetit Amerikan për Europën dhe Euro-Azinë Zj. Victoria Nuland, theksohet mbështetja e SHBA për dekriminalizimin e politikës shqiptare. Deklarata këto të ndjekura nga Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ku përmendet një deputet shqiptar i dënuar për trafik të qënieve njerzore. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë më 8 Qershor 2015 Ambasadori Amerikan Donald Lu shprehet se: “Në Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë duhet të cohen në burg”. Publikimi i raportit të DASH dhe deklaratat e Ambasadorit Amerikan pasohet me dorëheqjen e deputetit të PS Arben Ndoka dhe më vonë në Nëntor 2015 me dorëheqjen e deputetit Mark Frroku.

Në Shtator 2015 qeveria Rama-Meta miraton “Ligjin Për Dekriminalizimin” dhe pak javë më vonë miratohen ndryshimet kushtetuese për aplikimin e këtij ligji. Ndryshimet kushtetuese, pas kundërshtimeve të opozitës që ishte edhe nismëtare për këtë ligj, dërgohen për miratim në Komisionin e Venecias. Nga ana tjetër, opozita paraqiti propozimet e veta në Komisionin e Venecias. Në vazhdim më 28 Shtator 2015 deputeti Eduard Halimi (i cili ka preferuar të tërhiqet nga politika aktive kohë më parë) deklaron: “Jemi kundër kapjes së Sistemit të Drejtësisë dhe emërimeve në këtë sistem nga Rama”; ndërkohë paralelisht Presidenti Nishani bën lëvizjen e tij, duke i dërguar me anë të një letre të gjitha kundërshtimet e tij për ndryshimet kushtetuese dhe për mënyrën se si ka vepruar Komisioni i Dekriminalizimit (me kryetar Fatmir Xhafën) Komisionit të Venecias. Pas një serie kundërshtimesh dhe denoncimesh nga PD për të penguar edhe vetë punën e Komisionit të Venecias, më 13 Nentor të 2015 vjen deklarata e Ambasadorit Amerikan Donald Lu: “Mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara i mbështesin plotësisht propozimet aktuale. Kundër kësaj reforme janë ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por që kurrë nuk ndjekin penalisht dikë”.

Në ditët në vazhdim pas kësaj deklarate, ndryshimet kushtetuese marrin një vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias në Dhjetor 2015. Në protestën e 8 Dhjetorit të organizuar nga opozita, PD kërkon zgjedhje të parakoheshme dhe arsyeja ishte korrupsioni sidomos drejtuar Ministrit të Brëndshëm Tahiri dhe Ministrit të Shëndetsisë Beqja. Po në Dhjetor 2015 kritikët më të fortë të këtij vlerësimi ishin Kryeprokurori Adriatik Llalla dhe Ministri i Drejtësisë asokohe Ylli Manjani. Kundërshtimi i ashpër publik i bërë prej tyre për vendimin e Komisionit të Venecias, pasohet më 22 Dhjetor 2015 nga deklaratat e Ambasadorit Amerikan, ku në një fjalim të tij të gjatë lidhur me drejtësinë në vend shprehet se: “Disa njerëz të pushtetshëm në Shqipëri kanë frikë. Ata kanë frikë se do të humbasin vendin e punës dhe të ardhurat e pista. Kanë frikë se mund të përfundojnë në burg, dhe ndoshta duhet të kenë frikë”. Të nesërmen e kësaj deklarate Ambasadori Amerikan takon ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe Kreun e PD  Lulzim Basha prej të cilit mer edhe garanci për mbështetjen e plotë të PD për rekomandimet e Komisionit te Venecias. Në të njejtën ditë edhe LSI deklaron mbështetjen ndaj këtij dokumenti.

Beteja PS-PD-SHBA për Reformën në 2016       

Në Janar të 2016 arrestohet në Gjirokastër për korrupsion me tendera ish-Ministri i Punës Spiro Ksera, Reforma ka marrë rrugën e mbarë. Megjithatë opozita vazhdon të kërkojë “kauza” për të nxjerrë pengesa e për të bërë protesta. Kështu ajo mbështet në fillim të vitit 2016 protestat e shoqërisë civile për kundërshtimin e këndit të lojrave në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë ku bie në sy prania e deputetëve të opozitës madje disa edhe të armatosur si në rastin e Z.Gent Strazimiri. Aq të angazhuar ishin në mbështetjen e protestave opozitarët, saqë nuk kishin sy të shikonin që kjo protestë organizohej nga njerëz të paguar nga PS, si për shembull ne rastin e “shokut civil” Elian Tanini (që u shpërblye për cfryrjen e kësaj proteste nga një kauzë ambjentaliste mjaft sensibël për qytetarët e Tiranës, në një flluskë sapuni) me financimin e projekteve të tij artistike nga Bashkia e Tiranës me Erjon Velinë në krye dhe nga Ministria e Arsimit me Lindita Nikollën në krye.

Aksioni kuturu opozitar vazhdon me gjuajtjen me vezë të Kryeministrit nga deputetë të PD (Albina Deda, Gent Strazimiri, dhe Bedri Hoxha) të cilët për pasojë përjashtohen 10 ditë nga parlamenti. Në 30 Mars 2016 pas debateve për cështjen “Elvis Roshi”, mbërrin në Shqipëri Komisioneri për Politikat Europjane Johanes Hann i cili gjithashtu nxit bisedimet dhe ecurinë e dekriminializimit dhe sidomos Reformës në Drejtësi. Menjëherë të nesërmen jep dorëhqjen Kyebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi i akuzuar për fshehje të dënimit për përdhumin në Itali në 1992.

Në Prill të 2016 shpërthen skandali i “Panama Papers” ku rezultojnë të përfshirë 2 kompani, 3 përfitues dhe 22 pronarë aksionesh nga Shqipëria të cilët kishin depozituar në Panama shuma marramëndëse parash për tu shpëtuar taksave dhe anti-krimit ekonomik në vend. Pa mundur të thellohet më tej kjo cështje më 18 Prill 2016 Sali Berisha denoncon kërcënimin me jetë të kandidatit për rektor të UT Mynyr Koni (mbështetës i LSI – mesa duket bashkëpunimi dhe interesat PD-LSI hera herës dalin në pah si levë për të shpëtuar njërën apo tjetrën palë) për tu tërhequr nga gara ku përball tij ishte Klodeta Dibra. Koni e pranoi kërcënimin publikisht dhe vazhdoi me garën të cilën edhe e fitoi.

Në 9 Maj 2016 Gjykata Kushtetuese i heq mandatin deputetit Koco Kokdhima i denoncuar publikisht edhe nga Ambasadori Amerikan Donald Lu për afera korruptive. 3 ditë më pas si për të mbuluar këtë goditje të një prej njerëzve më të besuar të tij në PS, Rama shkarkon Kryebashkiakun e Dibrës për ekspozimin në një aferë seksuale në këmbim të një vendi pune. Më 6 Qershor 2016 pas ndërmjetsimit dhe këmbënguljes së Ambasadorit Amerikan Donald Lu dhe Romana Vllahutin arrihet të ulen në bisedime për 3 orë në Pallatin e Kongreseve për dakordësi mbi Reformën në Drejtësi Rama dhe Basha, takim i cili dështoi. Thënë kjo, duhet të kujtojmë konsultimet qesharake të kryetarit të PD për cdo propozim nga ndërkombëtarët me ish kryetarin Sali Berisha në zyrën e këtij të fundit.

Në 22 Korrik 2016 pas presioneve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve e kryesisht të Ambasadës Amerikane, ku vetë eksponentë të lartë të PD u shprehen se ishin kërcënuar për tu konsideruar non-grata nga SHBA, miratohet në parlament Reforma në Drejtesi me 140 vota.

Ne sesionin e ri parlamentar në Shtator të 2016 shtrohet propozimi për ngritjen e komisionit hetimor ndaj CEZ, kështu pas disa javësh punë në Nëntor 2016 thirret për të dëshmuar ish-Kryeministri Sali Berisha i cili pas disa thirrjeve u paraqit vetëm një herë, herë të cilën refuzoi të përgjigjet duke kontestuar pastërtinë e kryetarit të komisionit Taulant Balla

Në 7 Dhjetor 2016 mbërrin në Shqipëri Drejtori i CIA John Brennan i cili takon Ramën, Nishanin, Kodhelin dhe Visho Ajazi Likën në cilësinë e Kreut të SHISH, i cili pak ditë më vonë jep dorëheqjen duke bërë që opozita të akuzojë Ramën për presion ndaj tij. Megjithatë dekretimi i tij prej Ramës si Ambasador të Shqipërisë në NATO e mbylli edhe këtë “kauz” të opozitës, pasi marveshja Rama-Lika kishte bekimin Amerikan. Më 8 Dhjetor 2016 dështon si pasojë e dekonspirimit aksioni për arrestimin e Klement Balilit në kërkim dhe i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Më 22 Dhjetor 2016 Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për të rrëzuar Ligjin e Vettingut si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, duke shënuar nisjen e zbatimit te ligjit për vlerësimin e gjygjtarëve dhe prokurorëve.

Ndërkohë prokuroria e Katanjas në arrestimin e një grupi të strukturuar kriminal dhe në përgjimet gjatë hetimit të cështjes, zbulon përfshirjen në trafik të një ministri të qeverisë shqiptare, që u bë edhe kauza e re e opozitës. Rama e largon Sajmir Tahirin nga forumet e PS por deputetët e PS nuk i japin me vota Prokurorisë të drejtën për të arrestuar këtë të fundit. Tashmë kjo kauzë është pengesa e re që opozita ka për të vonuar ngritjen e Komisioneve të Vettingut si Këshilli i Prokurorëve dhe ato për Gjykatat sipas ndryshimeve përkatëse kushtetuese që hapnin rrugën për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të SPAK.

Beteja PS-PD-SHBA për Reformën në 2017

Ndërkohë që Maqedonia e fillon vitin 2017 me krizën politike postzgjedhore ku Gruevski refuzon kalimin e mandatit te Zoran Zeav, në Tiranë në Janar të 2017 Komisioni Hetimor për aferën CEZ kërkon paraqitjen nën cilësinë e dëshmitarit të Shkëlzen Berishës. Ky i fundit refuzon të përgjigjet me të njëjtën arsye si i ati duke hedhur dyshime mbi pastëritine e kryetarit të këtij komisioni. Kështu thirrja e fundit e tij për tu paraqitur ka qënë më 12 Shkurt, dhe më 18 Shkurt 2017 duke mos parë asnjë mënyrë tjetër për të penguar hetimin e djalit të ish-Kryeministrit opozita vendos të qëndrojë në protestë për tre muaj rrjesht deri në marrjen e Ministrisë së Brëndshme me një marrveshje për bashkëqeverisje.

Po në shkurt të 2017 në një aktivitet për “Pjesmarrjen e qytetarëve në Demokraci” Ambasadori Amerikan Donald Lu u shpreh se: “Po shohim njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatën dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur vazhdimisht me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt Nëntor dhe Dhjetor të vitit të kaluar prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI që është jetik për vettingun. Të premten e shkuar u hodh shorti për antarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi një prej institucioneve të reja që mborn pavarsinë e gjygjsorit. Shorti u drejtua sic duhet nga sekretari i përgjithshëm i kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me 3 prokurorë për të plotësuar 3 pozicione”.

Përgjatë tre muajve protestë në vazhdim, opozita humbi disa shance si ai i presidentit ku më 28 Prill 2017 Ilir Meta zgjidhet President i vendit. Sigurisht që qëllimi i vetëm i aksioneve opozitare është shmangja e hetimit të Shkëlzen Berishës i cili do të hapte “kutinë e pandorës” për të gjithë krerët e PD, dhe strategjia politike nuk ka të bëjë me ringritjen e PD por me mbrojtjen e krerëve dhe pasurive të tyre. Të detyruar nga ndërkombëtarët për të hyrë në zgjedhje, opozitarët pranojnë me 18 Maj 2017 ofertën më të dobët tashmë në tavolinë pas disa javësh negociata (ku Basha i drejtohej në përfundim të cdo seance ndërmjetësimi zyrës së ish-kryeministrit për të raportuar). Zgjedhjet organiziohen nga një qeveri e përbashkët PD-PS me 25 Qershor 2017, ku nga 140 vënde në parlament ndahen në 70 PS, 43 PD, 19 LSI, 3 PDIU, 1PSD.

Me fillimin e sesionit të ri parlamentar “kali i ri i betejës” për PD ishte Sajmir Tahiri, e kështu në 19 Tetor 2017 Prokuroria e Krimeve të Renda i kërkon kuvendit autorizim për heqjen e mandatit të Sajmir Tahirit, kërkesë që u rrezua vetëm një javë më pas. Paralelisht me ceshtjen Tahiri PD shfrytëzon edhe “nacionalizmin” si nje kartë e fortë ku shqiptarët besojnë gjithmon fort se jemi në rrezik. Kështu cështja e detit me Greqinë u përdor më së miri në favor të PD për të hedhur shashka mbi disa marveshje që duhen bërë për arsye se na detyrojnë strategjitë kombëtare, gjeopolitika dhe faktori ndërkombëtar, të cilët s’të lënë të bësh gabimet që dikur Berisha-Basha bënë me shitjen e detit tek “Dora e Bakojanis”.

Megjithatë kërkesa e bërë për mandatin e Tahirit në Tetor 2017, lidhej me afrimin e mbarimit të mandatit të Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Opozitës Berisha-Basha-Llalla u duhej një alibi për të ndaluar Reformën në Drejtësi, dhe dukej se tashmë kishin një arsye të fortë, Sajmir Tahirin. Por Adriatik Llalla nuk e gëzonte mbështetjen e ndërkombëtarëve, dhe nuk ishte favorit për të vazhduar në atë karrige.

Me mbarimin e mandatit të Adriatik Llalles në Krye të Prokurorisë me 7 Dhjetor 2017, merr detyrën 11 ditë më pas Arta Marku, një emër që ka mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve. Tashmë e pashpresë per mbrojtje, opozita deklaron protesta deri në rrezimin e qeverisë Rama. Opozita e di fort mirë nga fillon Reforma në Drejtësi, dhe kush është “peshku i madh në PD”

Beteja PS-PD-SHBA për Reformën në 2018 vazhdon…

Kështu më 25 Janar 2018 u raportua në të gjitha mediat për flet-thirrjen që u lëshua nga Prokuroria për marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës lidhur me aferën CEZ, hap që pritej nga partitë opozitare pasi nga Ambasada Amerikane ishte vendosur si afat i fundit për kapjen e “peshqve të mëdhenj” Janari 2018. Për këtë arsye opozita kishte vendosur që në fund të Janarit të organizonte një protestë të madhe, e cila edhe pse duhet ti paraprinte flet-thirrjes së Prokurorisë u vendos më 27 Janar. Arsyet mund të jen të shumta, por në mes tyre është edhe fakti që Lulzim Basha nuk mund të bënte protestë më 21 Janar ditën kur vrau 4 shqiptarë të pafajshëm, të pa armatosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit pikërisht pse protestonin ja ashtu qorrazi për PS-në sic protestojnë edhe sot qorrazi për PD-në.

Megjithate kjo histori është e gjatë, e tjerrur mirë nga politika shqiptare e të dyja krahëve këto 28 vjet.

Kontrata e CEZ-DIA edhe pse e ndërmjetsuar dhe “e vjelur” mirë nga familja Berisha, edhe pse mbrohet mjaft mirë nga Basha (që njihet për “vjeljen” e rrugës së kombit etj), është firmosur nga ish-Ministri i atëhershëm Ridvan Bode i cili sot është jashtë parlamentit dhe në gurpin e PD anti-Basha.

Po nëse Bode dhe Patozi deklaruan në ditët e para të Marsit 2018 se janë gati të krijojnë një parti të re për një të djathtë të pastër, a bëhet Bode një dëshmitar i mbrojtur nga SHBA për të dekonspiruar aferat e familjes Berisha-Basha? Vërtet mendon Bode se do të shpëtojë nga shkeljet dhe aferat korruptive që me firmën e tij kanë vjedhur xhepat e 3 milion shqiptarëve të ndershëm që janë rropatur gjithë jetën vetëm për atë kafshatën e bukës që e nxjerrin me mundim për femijët e tyre??

Politikanë të majtë e të djathtë: Donald Lu ikën se shpejti, misioni i tij ishte kapja e “peshqve të mëdhenj”. Sot ka ardhur rradha e Berishës, sepse Basha nuk ka qënë kurrë i përshtatshëm për kostumin e politikanit, kështu që është gjithësesi i dështuar. “Peshqit e mëdhenj” të majtë e kanë rradhën në mandatin e ambasadorit tjetër kështu që duhet të presin dhe pak.

Ka shumë shqiptarë që realisht duan që Fatmir Xhafaj të japë dorëhqjen, sepse është në shkelje të plotë të vettingut për policinë. Por ky popull nuk ha bar, dhe nuk ju ndjek më në protesta për të mbrojtur fëmijët dhe pasurinë, paratë dhe sarajet tuaja që i vini cdo ditë me gjakun e djersën tonë.

 

2018 vazhdon…        

 

R.B

[paypal-donation]