Presidenti i Gabuar

Politikë Rajoni Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Presidenti Meta pasi tentoi vetëvrasjen fizike (por iu ndërrua mëndja minutën e fundit, se ia kishin ndërruar plumbat me fishek manovre), tani vendosi të bëjë “harakirin” e rradhës, jo si individ por si Institucion, duke shtuar tymnajën dhe duke bërë provokatorin e rrëmujës kombëtare, nëpërmjet një deklarate formale se do të shfuqizojë dekretin për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale në 30 Qershor.
Në Kushtetutën e Republikës nuk ka asnjë nen që i jep të drejtë Presidentit të revokojë një dekret të tij. Edhe specialistë, juristë, konstitucionalistë nga rradhët e opozitës nuk dhanë asnjë argument që do të mund ta justifikonte teknikisht dhe juridikisht veprimin e Presidentit, përvec se rezervave teknike dhe mbështetjes si veprim politik por jo edhe kushtetues ligjor.

Qëllimi i gjithë kësaj është shtimi i tymnajës në konfliktin politik që ka kapluar skenën politike shqiptare që prej shkurtit të këtij viti, dhe në mjegullën e shpërndarë në eter edhe gjetja e alibive për të bërë nul gjithë aksionin e sponsorizuar nga ana e BE-së dhe SHBA-ve, për devijimin e Reformës Zgjedhore, ose për ta bërë Reformën në Drejtësi plackë tregu në tavolinën e negociatave pushtet-opozitë.
Kriza e sotme politike, më e thella dhe më e komplikuara në historinë politike të Shqipërisë nuk është se erdhi papritur e pa kujtuar si rrufe në qiell të kaltër. Vetë kjo klasë politike është në krizë identiteti dhe integriteti moral, politik,ideologjik, përmbajtësor dhe ideor. Kjo klasë politike ka dështuar në sipërmarrjen e saj për të marrë dhe cuar përpara fatet e vendit dhe të kombit.

Në vigjilje të përgjigjes nga ana e komisionit të BE-së dhe vendeve anëtare të saj vecmas, lidhur me vijimin e procesit të integrimit të vëndit tonë në BE, klasa politike dhe shoqëria shqiptare gjënden sot në udhëkryqin me dramatik të historisë së kombit tonë ku do të përcaktohet ardhmeria jonë për të paktën 50 vitet e ardhshme. Sot, të ngecur në carkun e fatit që vetë shoqëria dhe klasa politike ia krijuan vetes me pjekurinë e pamjaftueshme të tyre, për t’u ballafaquar dhe për t’u emancipuar e reformuar në një realitet social-politik të cilin fati i historisë e ndihmoi shumë pak popullin tonë ta përjetojë dhe gëzojë ashtu sic e gëzuan shumë kombe të tjerë në E vropë, në rrekemi sa andej këndej të kërkojmë shpëtim apo edhe thjesht dalje nga ky tunel dhe kjo spirale ngjarjesh të cilat si po duket shumë shpejt edhe mund të dalin jashtë kontrollit.

Nevojitet më tepër se kurrë në këto ditë nga ana e klasës politike që ka marrë në dorë të udhëheqë fatet e kombit Shqiptar të largohet nga rruga qorre që ka nisur, së vërtetë dikur dikush fali apo bëri sikur fali apo sikur harroi dicka që iu bë pabesisht dëm në kurriz popullit, por sot njerëzit kanë sy dhe shohin kanë mëndje dhe mendojnë dhe edhe me gjithë të metat që kemi si shoqëri, nesër do të jenë aq të mëncur për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, të ardhmen e të cilëve duan ta ndërtojnë në vëndin ku kanë lindur e ku do të trashëgohen e trashëgojnë pasardhësit e tyre dhe jo diku tjetër, dhe jo shumë vonë, zëri dhe revolta e tyre mund të kthehen në një bumerang të rëndë kundër vetë atyre që s’qenë të aftë t’i hapnin kombit dhe vendit rrugën drejt progresit dhe zhvillimit, por e zhytën thellë e më thellë, nga kriza në krizë, nga konflikti në konflikt.

Në Shqipëri nuk do të ketë konflikt civil, sepse nuk ka asnjë arsye pse të ndodhë dicka e tillë. Në Shqipëri do të ketë dritë të re shprese dhe progresi që do ta sjellin brezi i ri dhe elita e denjë intelektuale e këtij vendi, që e do cdo pëllëmbë tokë tonën, që e do të ardhmen e fëmijëve në vendin e vet, që e do Shqipërinë atje ku i takon dhe ku i dha fytyrën e vet që në kohën e paraardhësve të vet Pellazgë, në Evropë.

Krenar Sevdari

[paypal-donation]