Një kafshatë përgjysmë!

Bota Politikë Rajoni Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Për disa javë me rradhë tashmë aktivistët e organizatës “REAGO” kanë punuar në terren pavarsisht situatës së vështirë pandemike. “Janë shpërndarë më shumë se 50.000 bukë për familjet në nevojë dhe njerëzit e braktisur e nga shteti. Kemi qënë pranë të gjithë atyre që shërbimet sociale dhe shteti i kanë harruar në skamjen e tyre, duke i vënë edhe përballë faktit se tashmë nuk lejohen të lëvizin të lirë për të siguruar një kafshatë bukë për fëmijët dhe familjet e tyre. Këta janë njerëz që jetojnë duke kërkuar punë me pagesë ditore si punëtor krahu etj, duke mbledhur materiale të riciklueshme, duke lypur rrugëve, apo edhe duke mbledhur ushqim rrugëve të Tiranës. Janë njerëz që nuk figurojnë në listat e familjeve në nevojë, nuk figurojnë as si të papunë, njerëz jetimë, të pastrehë, fëmijë që shteti ndoshta nuk e di që kanë lindur e rriten semaforëve të Tiranës në krahët e nënave që lypin e më pas bëhen lypës duke luftuar përditë me urinë, në një realitet që shteti as nuk e njeh as nuk ka dëshirë ta identifikojë, duke i lënë në mëshirë të fatit.” Kështu shprehet kryetari i “REAGO” Leonard Dedej, ndërkohë që pohon se: “kjo nismë do të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së pandemisë, për të mos lënë askënd në tehun e kafshatës së munguar në një jetë të mjerueshme ku urinë e përditshmërisë nuk ka virus e pandemi që e tremb”.

Pra duhej kjo pandemi për ti cjerrë fytyrën politikës së pangopur, duhej kjo pandemi për të bërë bashkë popullin e braktisur, atë të uriturin, atë të pafuqishmin të pamundurin, duke i vendosur  në llogore si dy palë kundërshtare kamjen dhe skamjen. Në këto ditë të vështira për të gjithë njerëzimin, në këto ditë që gdhijnë e mbyllen në muret e vetmisë e halleve të njerëzve në kasollet e “humbura” larg zyrave e vilave të pushtetarëve, ka njerëz që zemrën e mbajnë gjithnjë hapur. Organizata “REAGO” shpërndau në lagjet e varfra të Tiranës bukë, bukë vetëm bukë duan këta njerëz. 

A është kjo e tepërt vallë, të duash t’u cosh fëmijëve në shtëpi në fund të ditës një bukë, një kafshatë me nder e krenari! Edhe pse të varfër këta njerëz janë të ndershëm, ndoshta janë të tillë sepse këtu politika nuk ka shkelur kurrë, këta njerëz nuk figurojnë askund në shtet, nuk votojnë, këtu politika nuk e ka patur mundësinë të blejë e të shesë “dallavere”, të korruptojë shpirtin e lirë e mendimin e ciltër.

E kur politika vë maskën për të mos nuhatur as hallin e bukës që kanë këta njerëz në zemër të Shqipërisë, Leonard Dedej vë maskën e përvesh duart. Ai shpërndan rregullisht bukë, e kur i kërkojnë, edhe maska e doreza, për këta njerëz.  

Kryeministri, presidenti, opozita e mbarë politika mburren se po “luftojnë” për  këtë popull, duke menduar, e shpesh me sigurinë e plotë se populli u beson symbyllurazi cdo gjë që thonë. E ashtu si thotë Konica i madh “është krim ti prishësh lumturinë budallait”, edhe populli është i tëri i neveritur nga politikanët e sotëm, populli është i gjunjëzuar për kafshatën e përditshme nga kjo politikë dhe është i pafuqishëm të ngrihet, por është i neveritur nga këta palaco që s’u lodhën kurrë duke vjedhur nga goja e fëmijëve të tyre kafshatën. Por ky popull është unik, është vital, është bujar. Dhe ja ku punon pa u lodhur, populli për popullin – “REAGO” –  një kafshatë përgjysëm vëlla. Ju lumtë shqiptarë dhe qofshi të bekuar në familjet tuaja!

R.B.

Tagged
[paypal-donation]