NDERTIM PA LEJE

Politikë Shëndeti Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Nga Amarildo Pregapuca

Në Shqipëri duhet të ketë një ditë të posaçme kombëtare, që të quhet “Dita e Ndërtimeve pa Leje”.
Ditë pushimi.
Flamuri, natyrisht që gjysmështizë.
Fotot e politikanëve, gazetarëve, opinionistëve të tridhjetë viteve dhe flamujt e Partive, të vëna në tabela si ato të qitjes, anekënd rreth një sheshi të madh, apo një parku, a diçkaje të përafërt; dhe në hyrje të tij, në një qoshk a diçka, të shiteshin domate, vezë të prishura, pse jo dhe kakë e mbështjellë në ambalazhimin e duhur për një përdorim.
Në gjithë tragjeditë dhe tradhtitë e tridhjetë viteve ndaj Shqipërisë, kjo e “ndërtimeve pa leje”, hyn në top 3.
Nëse do të kuptosh vërtet tërë poshtërsinë e politikave, militantëve; nëse do të kuptosh në thelb korrupsionin dhe armiqësinë ndaj vendit… e gjen pikërisht nëse do të analizosh “ndërtimet pa leje”.
Nuk ka dhe nuk ka patur askurrë ndërtime pa leje, në Shqipëri. Ka patur dhe ka, ndërtime pa letra dhe pa legalizime, por pa leje… kurrë! Kurrën e kurrës! Një “leje” është marrë nga Partia diku, nga një figurë e saj, militant i saj, një shërbyes i saj, administratë vendore, polici vendore a diçka… dhe ajo ndërtesë “pa leje”, i takon ose një militanti Partie, një fisi të dikujt nga ajo Parti, apo një viktime, njeriu në nevojë që i kanë marrë ç’kanë mundur, nga paratë te vota dhe fytyra për ta bërë atë ndërtim… por “pa leje”, që ta mjelin e ta mjelin, derisa të ketë jetë… ta përdorin në protesta si kamikaz, ta nxjerrin nëpër lajme si të përvuajtur, ta grisin, ta shtrydhin sa të munden dhe si të munden… derisa të vdesë.

Jetuar jashtë vendit, për gati më shumë se gjysmën e jetës, dhe në një vend si Anglia, kur i shoh ato ndërtime “pa leje” që kanë “kafshuar” gjithë Shqipërinë, gjithë qytetet, fshatrat më keq akoma, gjithë rrugët nacionale dhe gjithçka… nuk është se vetëm më vrasin sytë, por ndiej dhimbje.

Janë para shqiptarësh, janë vuajtje shqiptarësh, janë gjak shqiptarësh, të cilat i kanë lënë t’i investojnë per t’u prishur jetët e tyre, por dhe panoramën e gjithë këtij vendi mahnitës.

Janë biliona e biliona euro, të cilat nëse do t’u jepej një ide apo projekt… sot do të kishim një Shqipëri akoma më të bukur dhe akoma më të pasur.

Shikoni “Kamzën”, “Astirin” dhe krahasojeni me Afganistanin apo Irakun e paslufte! Janë njëlloj, asnjë ndryshim. Beton, mund, djersë, para, të hedhura për të stresuar vetveten… dhe për të të mbajtur peng të së keqes, të stresit dhe për të të përdorur aq shëmtueshëm për nevoja politike.

Vërtet ndiej dhimbje kur prishet një ndërtesë “pa leje”, qoftë dhe të një njeriu që ka shkelur gjithë rregullat dhe gjithë normat njerëzore…
Janë para të hedhura dëm, të një vendi të varfër, që është tradhtuar në palcë, duke e kthyer në mbrojtës të shëmtisë… pa i lënë rrugë tjetër dhe duhen shumë para dhe lot, që të kthehen si duhen; ku çdo drejtësi tashmë, është një “padrejtësi”, por e domosdoshme.
Mjafton të hetonim këtë aspekt të thjeshtë… si “ndërtimet pa leje” dhe do të kuptonim qëllimet dhe dorën që na ka varfëruar ekonomikisht, mendërisht dhe shpirtërisht.

Dhe kjo duhet medoemos gjykuar një ditë.

[paypal-donation]