Media – Vetting Pushtetit të Katërt!

Politikë Rajoni Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Në kulmin e epokës së teknologjisë inovative, inteligjencës artificiale, dhe realitetit të augmentuar; në gurin e fundëm të mbërritjes dhe pranimit të shqiptarëve në BE; në kohët e arta të dijes njerëzore mbi historinë, veten, tokën, dhe universin; në ditët më të suksesshme të globalizmit deri më sot, si një vetdije njerëzore për ekzistencën e mundësive të pafundme, për koherencë bashkëjetese në të gjitha fushat me shkëmbime dhe bashkëpunime multilaterale, NE, kemi një tjetër plan – të mbetemi jashtë cdo plani që ka bota.

Në këtë vend të bekuar të gjithë bëjnë gjithshka, sepse “gjithologu” është profesioni më i paguar. Dhe vetë kryeministrin e kemi gjitholog, një politikano -piktoro – basketbollisto- shkrimtaro – gazetaro – poliglot.

Dhe vetë Elita e Kombit është “gjithologe”, sepse këtu një mjek, inxhinjer, ekonomist, jurist bëhet biznesmen dhe anasjelltas; një mësues, infermjer, këngëtar bëhet tregar dhe anasjelltas; një profesor, artist, farmacist bëhet sipërmarrës dhe anasjelltas. Dhe të gjithë këta bashkë kanë 3 mundësi në rast dështimi, e para të bëhen politikanë, e dyta të bëhen gazetarë, dhe e treta të ikin nga ky vend.

Kështu arritëm në ditën kur kemi të gjithë një dëshirë të papërmbajtur të “hamë njëri-tjetrin”, të ikim nga ky vend sepse në këtë xhungël gjithollogësh po nuk “hëngre” dikë – dikush “do të të hajë”. Sepse modeli jepet i qartë cdo ditë nëpër ekranet që na ushqejnë me lugën bosh të profesionistëve të fjalës, binomi gazetari-politikë.

Dhe kujt i duhet kaq shumë kjo palo gazetari që ka shpërfytyruar modelin e njeriut në subkoshjencën e një populli të tërë? Po kujt i duhet të dëgjojë gjithë ditën e perëndisë lajmet e politikës së shthurur, të pisët dhe të pafytyrë?

A ka mision të vetin kjo gazetari? U bënë tre ditë që meremi me Bularatin, dhe kemi humbur plot 72 orë të vyera, duke dëgjuar “kur hyri në fshat, kur doli nga fshati, cfar thanë fshatarët, cfar tha motra, si qau e ëma”. Askush nuk kërkoi llogari për Ilia Karelin e masakruar në burg, askush nuk ka kërkuar kurrë ato që kërkon Greqia në rastin e Bularatit, askush nuk ka kërkuar kurrë qe të kryhen hetime per shqiptarët e vrarë rrugëve dhe burgjeve të Greqisë, asnjë analizë të reciprocitetit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, festat shqiptare në Greqi si festohen? A ngrihet flamuri ynë atje? A shkojnë politikanët dhe pushtetarët tanë atje në organizime publike festash kombëtare?

Kujt i shërben kjo gazetari përvec padronit politik? E kujt i interesojnë kaq shumë pasqyrimet intensive të historive boshe të figurave anonime që nuk përfaqsojnë as modele dhe as vlera. Po kemi dy muaj që meremi me Xhisielën dhe Elvanën. Po pse duhet të mari shembull brezi që rritet nga këto mostra, përse  është kaq i rëndësishëm bombardimi i opinjonit publik me lajme boshe për të tilla figura? Përse nuk publikohen modelet pozitive por lartësohen modele anonime negative? Përse nuk paqyrohen ata që bartin vlerat e vërteta të shoqërisë, modeli i ndershmërisë, i paqes, i sakrificës, modeli i punës së pastër përse nuk ofrohet dhe lartësohet në madia?

Të detyruar dhe të kufizuar me lajme për Edin, Lulin, Monën, dhe shpurën e tyre analfabete, kemi arritur në momentin e shpërfytyrimit total shoqëror, një mpirje sociale në pritje të telenovelës politike të rradhës. Kush janë këta gazetarucë që helmojnë ndërgjegjen e një kombi mbarë? A ekziston pushteti i katërt në Shqipëri? Një popull është i fortë jo kur ka një qeveri të fortë, por kur ka një opozitë të fortë. Kuptohet që Lulit i ka ngrënë dhia librat që në krye të herës dhe që atëherë nuk u bë dot kurrë politikan, po media ku është media? Një media që po e mbyt injoranca, një media që po e fundos padija, dhe që e ka blerë krimi, c’mund të bëjë për shqiptarët? Tashmë ka ardhur koha të fillojë VETTINGU I MEDIAS, të deklarohen të gjithë “agallarët” që me qesëndi tallen studiove me shqiptarët, që shesin e blejnë informacion për axhenda të caktuara e aspak të lidhura me informimin publik si dhe në mungesë totale të etikës profesionale. Vettingu, rradha jote moj pseudo-ELITE.

R.B.

Tagged
[paypal-donation]