ME SOPATE DREJT EUROPES!

Rajoni Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Në fund të tunelit ka dritë. Dhe ne djepi i civilizimit tashmë duket se jemi gati të civilizohemi.

Sa pak e paskemi dashur veten. Një bumerang na sillet e na sillet dhe nuk e dimë më as kush prej nesh e ka lëshuar.

Dhe s’kemi kurrë kohë të mendojmë për njëri-tjetrin dhe kështu vetja na del e tepron në vetmi. Një jetë në vetmi, pa i buzëqeshur kurrë tjetrit të afërm – të largët a të panjohur, pa e respektuar kurrë tjetrin në hapsirë – kohë a mendim, pa e falur kurrë tjetrin në gabim – hidhërim a përpjekje epike për mbijetesë, pa e kuptuar kurrë tjetrin në vështirësitë therëse të jetës – në mundimet e dhimbshme të përditshmërisë – në padijen e mbledhur si kocka në fyt që sjell skamja “Migjeniane” në sofër, dhe po, në tru. E përplasemi shqiptar me shqiptar me mëri nëpër rrugë, e vështrohemi hidhur kalimthi në cdo rrugicë – shkallë – dyqan – oborr – kafe – det e mal, shtyhemi me brryla e shqelma nëpër autobusë – spitale – zyra e sportele. Po pse o djep i civilizimit? Pse o njerëz? Pse o shqiptarë?

Po sa të mirë o njerëz, cdo shqiptar brohoret për skuadrat “e zemrës” në botëror, e ata as që na njohin e as brohorasin kurrë për skuadrën tonë të zemrës, “Kuq e Zinjt” tanë. E valvisim flamuj të huaj me eufori, ulërima e britma si të ishim në një festë eksploduese kombëtare. Në cilin shtet të botës ndodh kjo? Pse kjo ndjenjë e flaktë inferioriteti? Pse o djep i civilizimit? Pse o njerëz? Pse o shqiptarë?

Sa pak, sa pak e duam njëri-tjetrin, sa pak e duam veten, sa pak e duam ditën tonë, punën tonë, familjen tonë, jetën tonë. Sepse ne vrasim me sopatë për një shikim, ne vrasim me sopatë për një parkim, për një bicikletë, për një kraikues, për një vajzë. Ne vrasim njeriun e jetës burrin, gruan, vjehrrin, vjehrrën, fëmijën, prindin, shokun. Ne vrasim veten dhe jetën. Po pse o  njeri? Pse o djep i civilizimit që harrove të rritesh të evoluosh? Cilët baballarë të lënë akoma tutje në errësirë – në gjumë, o djep që qan e s’rritesh, e s’qesh kurrë!

Po ne qeshim e borhorasim në turma histerike të lavazhuara nga sistemi, ne zgjedhim dhe heshtim, ne nuk flasim kurrë troc dhe hapur, ne “shohim punën tonë”.

Dhe “kryeminsitri baba” Z. Rama një artist “në rrol”, i vuri sopatën shtëpisë së artit, Teatrit Kombëtar. Po ky i apasionuar pas sportit, i vuri sopatën dhe kullën stadiumit kryesor në kryeqytet. Por ne “shohim punën tonë”. Edhe kur “kryeministri baba” Z. Berisha një mjek i shquar i vuri sopatën mjeksisë shqiptare, ai që kishte pasion notin dhe shiti detin tonë, detin tim dhe tëndin; ne sërish “pamë punën tonë”. Por kjo histori është një përsëritje e rregullt ritmike me të gjithë “baballarët e rinj të kombit”, dhe “baba” Ilir Meta një ekonomist i shquar i vuri sopatën financave të shtetit, por ai kishte pasion peshngritjen e për pasojë nuk donte para ai kërkonte dicka më “me peshë”, gira të florinjta për peshngritësin e thesarit të vjedhur të shtetit.

Po pse i djep i civilizimit? Pse o njerëz? Pse o shqiptarë?

A lihet injoranca në udhëheqje? Arroganca e padijes a lihet të flasë e të flasë pa pushim për dijen? Ku jeni ju të shkolluar – të ditur – të urtë, ku jeni ju të paqtë – të mirë – të ndershëm, ku jeni ju të zotët – të aftët – të zgjuarit? Megafoni në dorën e padijes është kaos – zhurmë – dezinformim – shplarje truri – gjumë. Ne jemi më shumë se kaq, ne jemi individët që shkëlqejmë në të gjithë botën – jashtë këtij sistemi. Pse e lamë sistemin të na dëbojë nga shtëpia jonë, nga vëndi më i bekuar në botë, pse e lamë sistemin të na vjedhë – të na përdorë – të na ndëshkojë? Pse o djep i civilizimit? Pse o njerëz? Pse o shqiptarë?

E sot me sopata a kazma në dorë ne presim pyje që i mbjell me pas Lali Eri arkëtari dhe taksidari i Edi Rames, ne presim lumenj për PPP-të e Edit, ne presim super fatura për shëndetsinë PPP, presim me sopatë super tatime super taksa super arsim të dështuar, dhe cdo ditë nga një sopate na ngulet në tru nga madiat e blera e të shitura te politika sa majtas djathtas, me sopatë presim llotarinë amerikane dhe kërkesat për azil nëpër botë ku kërkojmë shpëtim, me sopatë presim mikun e dashur dhe të urryer, sepse në të mirë a të keq ne kemi njohur vetëm sopatën që gdhendi djepin e civilizimit, e më pas fjetëm, fjetëm të gjithë  si komb.

E nëse s’të pëlqen ajo që cdo ditë sopata i bën këtij vendi, nëse do të zgjohesh, fol. Fol ti i pari, mos prit të tjerët fol për vete dhe për të paditurin, për të pambrojturin, për të abuzuarin, për të mjerin, për të varfrin, fol për lypsin. Fol sepse ti vetë je i padituri, i pambrojturi, ti je i abuzuari, i mjeri, i varfri dhe lypsi. Fol sepse ne jemi të gjithë të tillë dhe tashmë një gjumë i thellë do na vrasë me sopatën bumerang që gdhendi djepin e civilizimit të cilin nuk e merituam kurrë.

R.B.

[paypal-donation]