KU PO SHKOJMË?

Politikë Rajoni Vendi

Your total amount is : 10.00 (Currency: USD)

Nga Krenar Sevdari

Kjo e sotmja është pak të thuhet se është thjesht një rrëmujë paraelektorale. Pasojat e saj në një të nesërme jo të largët do të shkaktojnë një skepticizëm popullor ndaj demokracisë që po na e shesin si kaos dhe do t’i bëjë njerëzit të kërkojnë garanci dhe siguri rendi dhe jetese tek një udhëheqës autokrat apo diktator në 5 deri 10 vitet e ardhshme.

Kjo spirale situatash kaotike dhe të paqendrueshme do të na çojë fill drejt kësaj, prandaj kujdes!
Më tepër se kurrë, sot lipset që mendjet e pjekura dhe të urta të inteligjencës qytetare shqiptare të bashkohen në një dhe t’i dalin përballë dhe ta parandalojnë këtë rrezik që sot ende nuk duket, por që nesër do të jetë një kërcënim real mbi kokat tona. Njerëzit janë lodhur me një tranzicion 30 vjeçar që si një rreth vicioz po vazhdon e po vazhdon e nuk ka të sosur.

Të njëjtat figura që ngrihen e elaborohen e lavdërohen për zotësi të patreguara ndonjëherë diku, e që pastaj rrëzohen pas 7-8 vjetësh, e të tjerë që vijnë pas tyre, si rivalë, por që zanat e zakone kanë po të njëjtat me ata që i kishin më parë, e edhe këta i rrëzojnë pas 7-8 vjetësh, për t’u ricikluar sërish ata që ishin në fillim, e edhe këta rrëzohen, për t’u ricikluar me emra e fytyra të reja. Po ata që ishin dje në pushtet, e që qendrojnë edhe këta nja 7-8 vjet për të risjellë sërish ata të mëparshmit tashme me fytyra të reja e me zakone të vjetra.

E sërish fytyrat ndryshojnë e ndryshojnë po zakonet mbeten po ato, të trashëguara që nga koha e Perandorisë Osmane, e të përforcuara nga mentaliteti i autokratizmit diktatorial që përjetuam në 14 vjet të mbretërimit të Zogut e 46 vjet diktaturë komuniste.

Dhe sot jemi jo në nivelin e vitit 1991, por më keq akoma, prandaj koha nuk fal dhe nuk pret të ngrihesh më nge nga gjumi letargjik që ka kohë që na ka kapluar mendjen dhe shpirtin. Në e doni demokracibë, të ngrihemi e te tregojmë veten. Jo me protesta e me demonstrata, e as me hunj e me zjarr, por me laps e me letër, me mendje të kthjellët e me zgjuarsi.

Për këto ka nevojë sot kombi dhe vendi ynë. Nëse jo, diktatura sërish po troket në prag, nuk ka rëndësi në ëmër apo me emër të cilit është, ajo sërish do të jetë zgjedhë në kurrizin e popullit tonë dhe pengesë për zhvillimin dhe përparimin e të ardhmen e brezave që do të vijnë pas nesh, dhe Europa atëhere do të jetë akoma edhe më larg!

[paypal-donation]